Kalo te përmbajtja

A është Amerika ende Amerikë?

30.05.26

Daniel Serwer i mbajti këto fjalë në Tiranë më 28 maj 2026, në një aktivitet të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, ku Albert Rakipi shtroi pyetjen që i jep titullin kësaj fjale. Serwer është profesor dhe studiues i lartë (Senior Fellow) në Institutin e Politikës së Jashtme të Shkollës së Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara në Johns Hopkins (SAIS), dhe ndër vëzhguesit më të vjetër të Ballkanit në Uashington; ai erdhi për herë të parë në Shqipëri si vëzhgues amerikan i zgjedhjeve në vitin 1997. 

 

Është kënaqësi e madhe të jem sërish në Tiranë, gati tri dekada pas vizitës sime të parë. Isha këtu në vitin 1997 si vëzhgues i zgjedhjeve në emër të qeverisë amerikane.

E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar që atëherë është Sali Berisha. Por s’kam pse ankohem, sepse edhe unë jam thuajse po aq plak sa ai, dhe, ashtu si ai, ende jam në këmbë.

Politika amerikane ndaj Ballkanit ka ndryshuar. Dhe Amerika ka ndryshuar.

Për t’iu përgjigjur pyetjes që Albert Rakipi e zgjodhi si titull për këtë fjalë: jo, Amerika nuk është më Amerika e dikurshme. As nuk do të jetë sërish për disa vite të tjera, në rastin më të mirë. Deri sa të kthehet në diçka që i ngjan asaj që presidenti Ronald Reagan e quante „qyteti i ndritshëm mbi kodër”, bota do të ketë ndryshuar.

Më lejoni të ndalem fillimisht te SHBA-të, e më pas pak te Shqipëria dhe ecuria e saj drejt anëtarësimit në BE.

Amerika është kthyer pas
Presidencat e Donald Trump-it e kanë zhvendosur politikën e jashtme amerikane larg fokusit të tij të pas Luftës së Dytë Botërore: mbrojtjes dhe zgjerimit të botës demokratike.

Amerika me të cilën jemi rritur ju dhe unë, një Amerikë e përkushtuar ndaj të drejtave të barabarta, është më e re dhe më pak e rrënjosur nga ç’mendoni. Ajo nisi në vitin 1948 me integrimin e ushtrisë dhe në vitin 1954 me vendimin e Gjykatës së Lartë për integrimin e shkollave amerikane. Formë të plotë ligjore mori vetëm me zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Votës të vitit 1965, që u garantoi personave të zinj në Jugun amerikan mundësinë për të votuar.

Deri atëherë, diskriminimi racor në të gjithë vendin dhe supremacistët e bardhë në Kongres ishin ende të zakonshëm. Na pëlqen ta harrojmë, por para Luftës së Dytë Botërore patëm një lëvizje të madhe America First (po, kështu e quanin veten), që simpatizonte ngritjen e fashizmit.

Amerika nuk është tërësisht e ndërtuar mbi të drejtat e barabarta
Rendi liberal demokratik që ju e çmoni aq shumë u mbars gjatë luftës dhe lindi në fillimet e Luftës së Ftohtë. E di se ç’rëndësi ka për shqiptarët; e kam parë filmin Lamerica. Por Amerika e ëndrrave shqiptare është një shpikje e kohëve të fundit.

Po, Deklarata jonë e Pavarësisë, 250-vjetorin e së cilës do ta festojmë në korrik, pohonte se të gjithë njerëzit lindin të barabartë. Por njerëzit për të cilët bëhej fjalë ishin meshkuj të bardhë me pronë. Vetëm breza të tërë protestash politike ua zgjeruan të drejtat e barabarta grave, pakicave dhe personave homoseksualë.

Kushtetuta jonë krijoi një sistem qeverisjeje që u dha, dhe vazhdon t’u japë, më shumë peshë shteteve më pak të populluara, sepse të gjitha shtetet kanë nga dy senatorë, pavarësisht popullsisë. Versioni origjinal madje e shpërndante përfaqësimin jo sipas popullsisë së votuesve, por sipas një popullsie ku çdo skllav numërohej si tri të pestat e një personi.

Edhe sot, Amerika mbetet jashtëzakonisht e ndarë de facto në banim, arsim dhe fe. Shumica konservatore republikane në Gjykatën e Lartë e ka zhveshur tashmë gati plotësisht Ligjin për të Drejtën e Votës të vitit 1965, me kërkesë të administratës Trump. Ajo synon një qasje „neutrale ndaj ngjyrës” që në praktikë do të sigurojë dominimin e të bardhëve.

Te shumica e pakicave, pjesa më e madhe voton për demokratët, kështu që rivizatimi i zonave zgjedhore në favor të republikanëve do të thotë njëkohësisht edhe zhveshje nga pushteti e personave të zinj. Mjafton të pohosh se zonat e reja kongresuale që vizaton bazohen në kritere politike e jo racore, për të siguruar se ato do të kalojnë pa pengesa në gjykata.

Kur do të marrë fund kjo?
Ju mund të pyesni me të drejtë: kur do të marrë fund kjo qasje antiliberale? Kur mund ta kemi sërish Amerikën e rinisë sonë?

Përgjigjja, sigurisht, është se nuk e di. Gjëja e bukur me zgjedhjet amerikane është se rezultatin nuk e di paraprakisht.

Por sot Trump është padyshim jopopullor. Nuk do të ngurroja të parashikoja një „valë blu” nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër. Trump qëndron keq në thuajse çdo çështje me rëndësi: ekonominë, çmimet, vendet e punës, taksat, emigracionin, luftën me Iranin dhe politikën e jashtme në përgjithësi.

Do të ketë mundësi, duke nisur nga nëntori, për të ndërruar drejtim. Nëse demokratët fitojnë të paktën njërën nga Dhomat, do të mund ta ndalin një pjesë të Trumpizmit në planin e brendshëm. Ka të ngjarë të përqendrohen te frenimi i korrupsionit në shitjen e faljeve, në dhënien e kontratave të Pentagonit kompanive ku familja e tij ka interes, dhe në shpërndarjen e një kompensimi të supozuar për ata që morën pjesë në trazirat e 6 janarit.

Por vetëm me kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe një shumicë të re në Gjykatën e Lartë do të mund ta kthejmë mbrapsht më të keqen e Trumpizmit. Ndërkohë, do të na duhet të jetojmë me gabimet e tij.

Politika e jashtme
Ato gabime janë flagrante në politikën e jashtme, e cila, e pranoj, nuk është diçka që shumica e votuesve amerikanë e ndjekin nga afër, por e di se për ju ka rëndësi.

Ndonëse një pjesë e retorikës pro-demokratike mbetet, politika e jashtme e Trump-it ka theksuar një qasje gjeopolitike, sipas së cilës „fuqia bën të drejtën”, një qasje që ka ekzistuar gjithmonë. Në të kaluarën ajo përdorej vetëm kur ishte e domosdoshme. Mantra amerikane ishte „shumëpalësisht nëse mundemi, njëanshëm nëse duhet”. Kushërinjtë tuaj kosovarë ia detyrojnë pavarësinë e tyre një çasti njëanshmërie.

Qasja gjeopolitike tashmë është mbizotëruese. Trump e ka thënë qartë se ndjek vetëm moralin e tij dhe mendjen e tij. Fatkeqësisht, asnjëra nuk është e aftë për gjykim të mirë.

Trump po thekson gjithashtu marrëveshjet, transaksionet që i sjellin përfitim Shteteve të Bashkuara, në vend të konsensusit, solidaritetit, konsultimit dhe bashkëpunimit të komunitetit ndërkombëtar. Kjo qasje e ka dëmtuar NATO-n dhe e ka lënë SHBA-në të izoluar nga aleatët e saj në NATO në hyrjen në luftë në Lindjen e Mesme.

Në terma gjeopolitikë, që janë ata që Trump i çmon, Rusia dhe Kina janë vendet e rëndësishme sot dhe vazhdimisht përfitojnë nga mëdyshja e Trump-it në favor të tyre. Askush tjetër nuk ka shumë rëndësi, përveçse kur bën atë që do Trump.

Mund t’ju ofroj shumë shpjegime për butësinë e tij ndaj Putinit: afërsi personale, ideologji, përfitime financiare, kompromat, e të tjera. Por nuk mund t’ju them cili është i saktë. E vetmja gjë që di është se te Trump mund të mbështetesh se do të jetë i butë me Putinin dhe i ashpër me Zelenskin, edhe kur Moska i refuzon nismat e tij të paqes dhe godet asetet amerikane në Iran.

Në Lindjen e Mesme, ishte Benjamin Netanyahu ai që doli i fituar përballë Trump-it. Kryeministri izraelit e ka tërhequr SHBA-në në luftë kundër Iranit jo një herë, por dy. Nuk do të çuditem nëse ia del ta bindë Trump-in t’i japë fund armëpushimit dhe ta rinisë luftën.

Trump e ka futur Amerikën në një rrugë qorre tepër të ngushtë për t’u kthyer mbrapsht. Rezultati është kontrolli iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, kosto gjigante ushtarake dhe reputacionale për Amerikën, dëme serioze fizike, reputacionale dhe ekonomike për aleatët arabë të Gjirit, rritje në mbarë botën të çmimeve të naftës, gazit dhe plehrave kimike, dhe një recesion në prag. Pa përmendur një fitim të papritur nga të ardhurat e naftës për Rusinë, të shtuar nga vendimi i Trump-it për ta lehtësuar Rusinë nga sanksionet, dhe mundësia për Kinën të shohë nga afër kapacitetet më të fundit ushtarake amerikane.

Ballkani
Çfarë do të thotë gjithë kjo, mund të pyesni, për Ballkanin, e konkretisht për Shqipërinë?

Së pari, amerikanët kanë reshtur së interesuari për demokracinë shumetnike në Ballkan. Kjo duket qartë te heqja e sanksioneve dhe pritja në Shtëpinë e Bardhë e Milorad Dodikut, i cili përfaqësonte një kërcënim serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës. Kjo nuk është për t’u habitur. Ata nuk interesohen për demokracinë shumetnike në SHBA. Pse të interesohen për të në Bosnjë dhe Hercegovinë?

Së dyti, qasja e Uashingtonit është bërë shumë më transaksionale. Heqja e sanksioneve ndaj Dodikut dhe mbështetja për projektin e gazsjellësit në Bosnjë janë të dyja të lidhura me njerëzit e afërt të Trump-it. Lidhja nuk është rastësi.

Por, mund të pyesni, pse presidenti Vuçiq nuk po pritet me ngrohtësi? Ndoshta për shkak të dështimit të hotelit që familja e tij propozoi në Beograd? Ndoshta sepse dikush e bindi presidentin Trump se Serbia kishte strehuar hakerë të përkushtuar ndaj disfatës së tij në vitin 2016? Ndoshta sepse nuk ka punësuar lobistët e duhur, ose nuk ka ofruar marrëveshje mjaft të mira për familjen dhe miqtë e Trump-it?

Por Vuçiqi nuk po merr as shumë kritika. Uashingtoni nuk ankohet për tërheqjen e tij nga demokracia dhe për korrupsionin e tij. Amerikanët nuk bëjnë asgjë për të mbështetur median e lirë, një gjyqësor të pavarur, apo protestat studentore në Serbi. Kur pyes pse jo, përgjigjja është „stabiliteti”.

Unë jam përgjithësisht kritik i idesë së stabilokracisë. Pyesni Gruevskin, Gjukanoviqin ose Izetbegoviqin nëse evropianët dhe amerikanët ishin gati t’i ndihmonin në emër të stabilitetit. Por Serbia është një rast i qartë: një regjim që mbështetet sepse premton stabilitet, ndonëse vetë është një burim parësor paqëndrueshmërie. Uashingtoni ka frikë se Beogradi mund të prishë ekuilibrat në Ballkan, duke shkaktuar probleme që SHBA-ja vështirë se i përballon nën kushtet aktuale botërore.

A mund të përfitoni?
Disa vende të Ballkanit po përpiqen të përfitojnë nga qasja transaksionale e Uashingtonit. Në këtë kategori do të fusja Shqipërinë dhe Kosovën, me gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar Bordit të Paqes dhe për të ofruar trupa për një forcë të mundshme stabilizuese në Gaza.

Nuk mund t’i qortoj Tiranën dhe Prishtinën që përpiqen t’i bëjnë qejfin Trump-it. Vetëm mund ta marr me mend se çfarë po kërkojnë në këmbim, por shpresoj të jetë diçka me vlerë. Nëse Trump është transaksional, edhe ju mund të jeni transaksionalë në përgjigje.

Për Shqipërinë objektivi kryesor duhet të jetë anëtarësimi në BE. Për Kosovën, ai është anëtarësimi në NATO. Të dyja janë problematike për amerikanët.

NATO
NATO është ende në këmbë, edhe pse mbi terren të pasigurt. Por nuk do të jetë e lehtë të bindet administrata Trump të mbështesë anëtarësimin e Kosovës së vogël, që do të sillte kapacitet ushtarak margjinal dhe njëfarë rreziku për Aleancën.

Realisht, Kosova nuk mund të shpresojë, nën një administratë Trump, të përfitojë nga Neni 5. Trump madje ia ka dobësuar edhe efektin parandalues, duke hedhur dyshime nëse do të mbronte dikë në Evropë. Por Aleanca mund të ndihmojë ende me planifikim, trajnim dhe ndërveprueshmëri, që do të jenë jetike për mbrojtjen e Kosovës, ashtu si edhe për atë të Shqipërisë.

Shpresoj se vullnetarizmi për shërbim në Gaza do të ndihmojë ta bindë Uashingtonin se Kosova do t’i sjellë dobi NATO-s. Ndonëse më shqetëson se angazhimi i Aleancës për mbrojtje të përbashkët nuk është më i besueshëm, anëtarësimi i Kosovës do të ishte një sinjal i rëndësishëm për pjesën tjetër të Ballkanit.

Dhe jam entuziast që Shqipëria t’i bashkohet Sllovenisë dhe Kroacisë për të bashkëpunuar në mbrojtjen e vetes. Do të doja që Mali i Zi t’i bashkohej kësaj nisme.

Bashkimi Evropian
Për sa i përket BE-së, kam lajme të këqija. Administrata Trump e konsideron BE-në rivale dhe synon ta dobësojë. Prandaj e mbështetën Brexit-in dhe kanë vendosur tarifa ndaj Brukselit. Prandaj zgjerimi i BE-së nuk përmendet në dokumentin e Departamentit të Shtetit të botuar javën e kaluar.

Trump është grindur me Danimarkën për Grenlandën, me Gjermaninë për Ukrainën, me Francën për Iranin dhe me Italinë për Papën. Lista është e pafund. Mali i Zi dhe Shqipëria nuk mund të presin asnjë mbështetje për anëtarësimin e tyre në BE nga SHBA-ja. Mund të hasin madje kundërshtim, të cilit shpresoj se do t’i bëjnë ballë.

BE-ja sot është një përkrahëse jetike e demokracisë liberale dhe e rendit botëror të bazuar në rregulla, si dhe një kundërpeshë serioze ndaj Trumpizmit. Anëtarësimi në të do ta angazhojë Shqipërinë në një sipërmarrje fisnike: garantimin që idealet e rendit të bazuar në rregulla të ruhen përgjatë kësaj marrëzie gjeopolitike ku „fuqia bën të drejtën”.

Sfida më e madhe për Shqipërinë është, sigurisht, shteti i së drejtës. Shpresoj se qeveria juaj do të gjejë mënyrën për të përmbushur kërkesat e BE-së. Por ka edhe një problem tjetër, më pak të dukshëm: nuk besoj se BE-ja do të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj të vegjël me të drejtë vetoje.

Nuk më pëlqeu propozimi Rama/Vuçiq, që kundërmonte si një përpjekje për t’iu shmangur kërkesave të shtetit të së drejtës. Por nuk mendoj se Tirana duhet t’i kundërvihet shtrirjes së votimit me shumicë të cilësuar në politikën e jashtme. Të gjithëve na duhet ta nxjerrim mësimin e sjelljes përçarëse të Hungarisë nën Orban.

E ardhmja
Deri sa të jeni vendosur fort brenda BE-së, shpresoj se Amerika do të jetë duke u kthyer drejt diçkaje që i ngjan vetes së saj të dikurshme. Por bota do të ketë ndryshuar. Shpresoj se agresorët në Ukrainë dhe në Iran do të jenë mundur, strategjikisht edhe nëse jo ushtarakisht.

Nëse ndodh kjo, Rusia do të jetë sërish në rënie. Kina do të përballet me implozion demografik. Ndoshta aleatët aziatikë të Amerikës do ta kenë kuptuar se do t’u duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten. Evropa do të jetë një shtyllë më e fortë brenda NATO-s, si dhe një forcë më e fortë ekonomike e politike në botë.

Amerikës do t’i duhet të rinegociojë hyrjen e saj. Ndoshta Shqipëria do të mund të ndihmojë.

Shpërndaje

Artikuj të ngjashëm