Kalo te përmbajtja

A kanë nevojë studentët shqiptarë për leksione nga Serbia?

04.06.26

Drizan Shala

 

Në një grup ku po koordinohej protesta e Tiranës u shfaq një mesazh nga një numër me parashtesë +381. Dërguesi prezantohej si student nga Novi Pazari, kryetar i një organizate rinore, dhe ofronte ndihmë. Arsyetimi i tij ishte i qartë dhe didaktik. Kur nisin bllokimet e rrugëve, shkruante, fillon faza e fundit e radikalizimit; bllokohen hyrjet e qyteteve dhe autostradat; sistemi ndalon për disa orë; presioni shoqëror rritet. Studentët, theksonte, janë aktori më i rëndësishëm, sepse nuk janë parti dhe nuk lejojnë ndërhyrje. Numri ishte serb. Toni ishte i një mësuesi.

Lëvizja nga e cila vjen ky zë nuk është e panjohur. Studentët në bllokadë në Serbi kanë protestuar prej një viti e gjysmë kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiqit, që pas rënies së strehës së stacionit në Novi Sad dhe gjashtëmbëdhjetë jetëve nën të. Është një lëvizje që ka treguar qëndresë, ka mbledhur qindra mijëra njerëz, ka tronditur një regjim. Kaq duhet thënë, dhe kaq është e vërtetë. Por e vërteta nuk mbaron këtu.

Më 17 maj 2026, e mbledhur në Kragujevac, e njëjta lëvizje publikoi Memorandumin për Kosovën. Teksti nuk lë vend për keqkuptim. Kosova shpallet pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, jo si formulë kushtetuese por si imperativ historik e moral që nuk negociohet në thelb, komponent i identitetit kombëtar serb pa të cilin, sipas tyre, kodi i tyre kulturor e humbet burimin. Krahas memorandumit u mbajt edhe një tribunë mbi “Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”. Dhe që askush të mos mendojë se këtu flet vetëm pasioni shqiptar: kritikë serbë e vendosën menjëherë dokumentin në vijën e Memorandumit të Akademisë Serbe të vitit 1986, atij që përgatiti tokën ideologjike për gjithçka që pasoi.

Dikush do të kundërshtojë se aktivisti nga Sanxhaku, boshnjak, nuk e ka firmosur atë memorandum, dhe ka gjasa të jetë ashtu; boshnjakët e Pazarit rrallë e ndajnë romantizmin territorial serb mbi Kosovën. Por janë po ata studentë që defiluan nëpër rrugët e Serbisë me flamurin serb në dorë, duke dashur të dëshmojnë lojalitetin ndaj shtetit serb. Pra çështja nuk është vetëm nënshkrimi i tij. Çështja është repertori që ai sjell, dhe ai repertor i përket një lëvizjeje, jo një njeriu. Lëvizja ka folur qartë, dhe ka folur në maj.

Tani le ta kthejmë pyetjen aty ku duhet të qëndrojë. A ka nevojë vërtet studenti shqiptar të mësojë nga rruga serbe se si protestohet? Pluralizmi shqiptar lindi nga një protestë studentore. Dhjetori i vitit 1990, studentët e Tiranës; 8 Dhjetori mbahet ende si Dita e Rinisë pikërisht sepse ato ditë rrëzuan një regjim dhe hapën pluralizmin. As nuk është histori e largët. Në dhjetor 2018, pa lider, pa parti, pa grup organizues, studentët shqiptarë e detyruan pikërisht këtë qeveri Rama të tërhiqej për tarifat. Dhe Kosova, që sot dikush në Kragujevac e quan të vetën, mban traditën më të dendur të mosbindjes civile në rajon: viti 1981, greva e minatorëve të Trepçës më 1989, protestat studentore të vitit 1997, e gjithë shkolla e Vetëvendosjes. Ky është një popull që nuk ka çfarë mëson nga askush për të dalë në shesh. Ai e ka shpikur sheshin si akt themelues të lirisë së vet.

Mbetet pyetja praktike, dhe këtu qëndron rreziku i vërtetë. Taktika e bllokimit të autostradave nuk lindi në Shqipëri dhe nuk i përshtatet asaj. Ajo doli nga një kontekst tjetër, nga një tragjedi e caktuar, brenda një lëvizjeje që zgjati një vit. E transplantuar në një protestë qytetare për Zvërnecin, ajo nuk forcon asgjë; përkundrazi, ia dhuron qeverisë falas naracionin që kërkon, atë të dorës së huaj. Dhe pas 17 majit, ajo dorë nuk është më abstraksion që hidhet poshtë me lehtësi. Është një lëvizje me dokument në tryezë që mohon shtetësinë e Kosovës. Kush e fut atë repertor në një kanal organizimi shqiptar, e lidh një ankesë krejt legjitime, mbrojtjen e një bregdeti, me një rrjet që fshin gjysmën tjetër të kombit. Çmimi nuk është thjesht taktik. Është simbolik, dhe simbolika në politikë peshon.

Nuk do të pohoj atë që nuk e provoj dot. Nuk kam dëshmi për një qendër komandimi, për një plan të vetëm të hartuar diku për të destabilizuar Tiranën nëpërmjet studentëve të saj. Por nuk më duhet ajo dëshmi për të parë kontradiktën, dhe kontradikta mjafton. Një mesazh që mëson radikalizimin, dhe një memorandum që mohon Kosovën, brenda së njëjtës lëvizje, brenda të njëjtit muaj. Përfundimin që i takon, lexuesi e nxjerr vetë.

Studenti shqiptar nuk ka nevojë për mësues të rrugës. Rrugën e vet e njeh më mirë se kushdo; e ka shkelur kur drita e lirisë sapo kishte nisur të zbardhte. I duhet vetëm një gjë: të shohë se kush po ia zgjat dorën, dhe çfarë shkroi ajo dorë, tri javë më parë, në Kragujevac.

 

Drizan Shala është analist sigurie dhe analist politik me bazë në Prishtinë.

Shpërndaje